Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë në T7 se ekziston mundësia e rikthimit të masave kufizuese nëse vazhdon të ketë rritje të numrave të të prekurve.
‘’Është për keqardhje nëse situata e pandemisë bëhet përplasje politike’’, thotë fillimisht Hoti.
‘’Ne jemi vetëm duke vazhduar aty ku e la qeveria e kaluar. Kemi krijuar nëj manual sipas të cilit mund të mbrohemi nga virusi. Do të aktivizojmë mbi 200 punonjës shëndetësor si inspektorat shëndetësor.’’
‘’Nuk duam, por ka mundësi që do të kthehemi prapa. Nëse vazhdojmë me numra të mëdhenj të rasteve atëherë do të duhej të kthejmë kufizimet. Por nëse zbatohet me përpikmëri manuali atëherë nuk do të ketë problem.’’, shton ai.
Ai thotë se masat janë shumë të thjeshta dhe respektimi i tyre nuk është barrë për qytetarët.
‘’Secili qytetar duhet të jetë i kujdesshëm. Kjo nënkupton respektim të masave, vetëm kaq. Larja e duarve, mbajtja e distancës, sjella e duhur nëpër vende publike.’’
‘’Edhe një herë e them, duhet të kemi kujdes pasi mund të kthehemi prapa me vendosjen e masave. Vendosi maska, mos përshëndeteni me dorë, mbani distancën. Vetëm kaq.’’