Rreth 700 milionë litra naftë importohen brenda vitit në Kosovë.
Nga kjo sasi, buxheti i shtetit përfiton rreth 250 milionë euro prej akcizës. Asnjë pjesë të tyre qeveria nuk po do ta sakrifikojë, kur çmimi i karburanteve hipi drastikisht.
Të mërkurën, çmimi i naftës u ngjit deri në 1 euro e 75 centë për litër, njofton Klan Kosova.
Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se heqja e akcizës dhe TVSH-së nuk është në diskutim, por po punohet në caktimin e marzhës së fitimit për naftëtarët.
Hajdari shtoi se nuk ka probleme me furnizim as me naftë, as me produktet tjera të konsumit, teksa për këtë janë në kontakt edhe me shtetet evropiane.
Megjithatë, naftën nuk do ta blejnë kaq shtrenjtë bujqit, pasi qeveria i subvencionoi me 36 centë për litër.
Kryeministri Albin Kurti tha se qeveria, e as ai personalisht, nuk i rriti çmimet, por kjo, sipas tij, ndodhi për shkak të luftës në Ukrainë, dhe sanksioneve që i janë vënë federatës ruse.
Ai ftoi të mos bëhet panik pasi garantoi se miell ka mjaft, të paktën edhe pesë muaj. Për ata që blenë shumë për vete, shefi i qeverisë ka një këshillë, që ta kthejnë në furrë të bukës.