Qeveria e Kosovës sot ka vendosur që t’i japë në shfrytëzim një banesë për pesë vjet familjes së 11-vjeçares, e cila ishte dhunuar në Prishtinë në vitin 2022.
Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e sotme para kabinetit qeveritar tha se kjo tregon përkushtimin për mbështetjen e viktimave.
“Komisioni rekomandues i Ministrisë së Drejtësisë ka rekomanduar dhënien në shfrytëzim të një banese të konfiskuar prej 100 m2 për viktimën e trafikimit dhe dhunimit dhe të familjes së saj, të njohur si rasti i 11-vjeçares”, tha Kurti.
Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se banesa e konfiskuar do t’i jepet për shfrytëzim familjes së viktimës së 11-vjeçares për një periudhë pesë vjeçare, ndërkaq për shkak të ndjeshmërisë së rastit ajo nuk dha detaje tjera.
Ndryshe, në gusht të 2022 ishte raportuar për dhunimin e një 11-vjeçarje. Ai ishte dhunuar në dy raste, në qershor dhe pastaj në gusht.
Në shkurt të vitit 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me 40 vjet burg katër të akuzuarit, tre prej tyre të mitur, në rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë, por më 9 shtator të 2023-ës Gjykata e Apelit e ka kthyer këtë rast në rigjykim./BetimipërDrejtësi