Azilkërkuesit që duan të aplikojnë për mbrojtje ndërkombëtare në Bruksel të Belgjikës, detyrohen të flenë në rrugë sepse nuk u ofrohet një vend për të qëndruar.
Ata që duan të aplikojnë për azil rreshtohen para qendrës së Agjencisë Federale të Pritjes së Azilkërkuesve të Belgjikës (Fedasil) në kryeqytetin Bruksel, të quajtur “Petit Chateau” (Kështjella e Vogël), duke filluar nga orët e para të mëngjesit, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Meqenëse qendrat e pritjes së refugjatëve janë plot, shumica e këtyre personave detyrohen të kalojnë natën në rrugë.
Herët në mëngjes një tendë e improvizuar u ngrit përgjatë kanalit përballë “Petit Chateau” ku dhjetëra njerëz me jorganë, batanije, shtretër dhe dyshekë u panë duke fjetur.
Rreth 200 persona, kryesisht afganë dhe burundianë, flenë përpara një ndërtese të rezervuar për ukrainasit në lagjen Schaerbeek.
Kriza, e cila vazhdon prej më shumë se një viti në Belgjikë, javët e fundit sërish është intensifikuar, ku së fundmi 21 fëmijë refugjatë të pashoqëruar ishin braktisur në rrugë. Edhe pse autoritetet premtuan se do të ndërtohen strehimore shtesë, situata nuk ndryshoi.
Organizatat joqeveritare u ofrojnë këtyre njerëzve ushqim, veshje dhe mbështetje shëndetësore brenda mundësive të tyre. Duke theksuar se vendosja e sistemeve lokale të ndihmës nga komunat do ta zgjidhë problemin, organizatat potencojnë se shteti nuk i drejtohet kësaj për të mos u shndërruar në një qendër tërheqëse për refugjatët./FolDrejt/