“Suedezët kanë formuar një grup i cili u bën thirrje të gjithë atyre që janë të gatshëm të luftojnë për Ukrainën kundër Rusisë”, njoftoi agjencia e lajmeve TT.
Rreth 400 persona në Suedi janë regjistruar për të luftuar në radhët e ushtrisë së Ukrainës kundër Rusisë ndërkohë që lufta mes Kievit dhe Moskës vazhdon të përshkallëzohet, njoftuan mediat shtetërore suedeze, shkruan AA.
“Suedezët kanë formuar një grup që u bën thirrje të gjithë atyre që janë të gatshëm të luftojnë për Ukrainën kundër Rusisë”, njofton agjencia e lajmeve TT.
Koordinatori i grupit, Philip Brannval deklaroi se në Ukrainë ishte formuar një brigadë ndërkombëtare dhe se gjithsej 400 suedezë kishin aplikuar për t’iu bashkuar këtij grupi.
Grupi i parë, tha ai, do të udhëtojë sot për në Ukrainë dhe fillimisht me avion do të udhëtojë në Poloni dhe më pas me rrugë tokësore për në Ukrainë. Brannval shtoi se nuk do të zbulojë detaje tjera për arsye sigurie, transmeton Fol Drejt.
Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, i cili filloi më 24 shkurt, shkaktoi reagim të ashpër të komunitetit ndërkombëtar, ndërkohë Bashkimi Evropian, Britania e Madhe, Kanadaja, Japonia dhe SHBA-ja vendosën sanksione ekonomike ndaj Moskës.
Ministri i Mbrojtjes së Rusisë, Sergej Shoygu deklaroi se ushtria ruse do të vazhdojë të kryejë operacionin special ushtarak në Ukrainë derisa të arrihen qëllimet e përcaktuara. Sipas tij, qëllimi kryesor i operacionit është “të mbrojë Rusinë nga kërcënimi ushtarak që paraqesin vendet perëndimore”.
Raportohet se Rusia ka shtuar bombardimet e qyteteve të Ukrainës ndërsa sipas shifrave të fundit nga Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët (UNHCR), numri i personave që janë larguar nga Ukraina në vendet fqinje ka shkuar mbi 874 mijë./FolDrejt/