Qindra persona u arrestuan në Francë të enjten në protestat e reja kundër reformës së pensioneve.
Skena të dhunshme ndodhën në Bordeaux, Nantes dhe Rennes të enjten dhe policia hodhi gaz lotsjellës ndaj protestuesve në Paris, përcjell Fol Drejt.
Kryeministrja Elisabeth Borne e quajti dhunën dhe dëmtimin e pronës të papranueshme. Sekretari i përgjithshëm i sindikatës, Laurent Berger, dënoi gjithashtu dhunën.
“Kur sulmojmë simbolet e Republikës, bashkinë, komisariatin, fillojmë të sulmojmë njëri-tjetrin”, tha ai për televizionin RTL, duke theksuar se dhuna e vendos thelbin e protestës në flagrancë. Ai gjithashtu theksoi se nuk mendon se kontrolli mbi protestat po u kalon nga duart sindikatave, ndaj bëri thirrje për pauzë në reformë.
“Tani duhet t’i qetësojmë gjërat, përpara se të ndodhë një tragjedi”, paralajmëroi ai.
Ministri i Brendshëm tha të premten për televizionin CNews se janë arrestuar 457 persona dhe janë plagosur 440 pjesëtarë të forcave të sigurisë. Në Paris, protestuesit ndezën rreth 900 zjarre të vogla, si dhe zjarre pati edhe para bashkisë në Bordeaux dhe stacionit të policisë në Lorient.
Ministria njoftoi se 1.09 milionë njerëz dolën në rrugë të enjten. Sindikata CGT pretendon se kishte 3.5 milionë njerëz.
Protestuesit bllokuan hyrjen në stacionet e trenit, rrugët dhe një pjesë të aeroportit Charles de Gaulle. Autoriteti i aviacionit të premten u bëri thirrje kompanive ajrore që të anulojnë 33 për qind të fluturimeve nga Parisi të dielën dhe 20 për qind të premten për shkak të grevës së kontrollorëve të trafikut ajror, shkruan Le Monde.
Sindikatat po bëjnë thirrje për protesta të martën, gjatë vizitës së mbretit britanik Charles III.
Grevat dhe protestat kundër reformës së pensioneve kanë qenë paqësore prej javësh, por ditët e fundit ato janë përshkallëzuar gjithnjë e më shumë në dhunë.
Francezët po dalin në rrugë për një reformë që do të rrisë gradualisht moshën e pensionit nga 62 në 64, si dhe kundër politikave të qeverisë së Emmanuel Macron në përgjithësi.
Mosmarrëveshja u intensifikua javën e kaluar kur qeveria e shtyu ligjin në Asamblenë Kombëtare pa votim.
Mbrëmjen e së hënës dështuan dy kërkesa për mosbesimin e qeverisë dhe më pas u miratua reforma.
Ky vendim tani është duke u vënë në pikëpyetje nga Këshilli Kushtetues, por nuk është caktuar një afat se kur duhet të nxjerrë aktgjykimin. Macron dëshiron që reforma të hyjë në fuqi deri në fund të vitit.
Reforma ishte “shumë e vështirë”, tha presidenti në një intervistë televizive të mërkurën.
“Ne kërkojmë nga njerëzit që të bëjnë përpjekje. Kjo nuk është kurrë popullore”.
Megjithatë, vazhdoi Macron, mes sondazheve dhe planifikimit afatshkurtër dhe interesit të përgjithshëm të vendit, ai zgjedh interesin e përgjithshëm të vendit, tha ai, duke mbrojtur reformën./FolDrejt/