Qipro ka kërkuar ndihmë nga partnerët e saj të Bashkimit Europian në trajtimin e fluksit të migrantëve nga Siria, duke thënë se është në një “gjendje të jashtëzakonshme” për shkak të mbipopullimit në qendrat e saj të pritjes, tha sot ministri i Brendshëm, Nicos Nouris.
“Për shkak të kësaj situate dhe mbipopullimit në qendrat e pritjes, unë u detyrova t’i dërgoj një njoftim me shkrim Komisionit Europian”, tha Nouris, duke theksuar se ai kishte paralajmëruar që Qipro “po hynte në një gjendje urgjente për sa i përket migrimit dhe se nuk ishte më në gjendje të strehonte migrantë shtesë”.
Sipas tij, gati 4 000 kërkesa për azil janë refuzuar që nga janari.
Ai kërkoi ndihmën e BE-së për të riatdhesuar këta persona në vendet me të cilat Qipro nuk ka një marrëveshje dypalëshe.
Numri i azilkërkuesve ka arritur gjatë katër viteve të fundit 4% të popullsisë qipriote, kundër 1% për shtetet e tjera europiane, sipas qeverisë qipriote.
Më shumë se 12 000 sirianë kanë kërkuar strehim në Qipro që nga viti 2011, fillimi i konfliktit të përgjakshëm në vendin e tyre, nga të cilët më shumë se 8 500 kanë marrë mbrojtje ndërkombëtare, sipas Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.