Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, ka thënë se nga e hëna, më 29 mars 2021, punëtorët shëndetësorë do të punojnë në ndërrim prej 12 orësh.
Ky vendim është marrë pas shtimit jashtëzakonisht të madh të numrit të të prekurve me koronavirus në Prishtinë.
“Që nga e hëna në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare në Prishtinë do të kalojmë në orar 12 orësh. Pra nuk do të punohet në dy ndërrime por vetëm me një ndërrim 12 orësh”, tha Gashi për ‘RTV 21’.
Ndërsa, ka shtuar se në kushte normale në Prishtinë ofrohen deri në tetë mijë shërbime në ditë, por tani sipas tij situata ka ndryshuar.
“Tani po kërkohen 8,500 deri 9,000 shërbime ditore”, tha Gashi.