Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Zyra e BE-së/ PSBE-së mirëpresin vendimin e qeverisë së Kosovës për shtyrjen e zgjedhjeve në komunat veriore të Kosovës, shkruan Fol Drejt.
Përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, ambasadat e QUINT-it dhe Zyra e BE-së në Kosovë kanë theksuar se mirëpresin vendimin e qeverisë së Kosovës dhe liderëve të partive politike për shtyrjen e zgjedhjeve komunale dhe për kryetarë komunash në katër komunat veriore në këtë kohë.
“Ky vendim konstruktiv çon përpara përpjekjet për të promovuar një situatë më të sigurt në veri, që është kyçe për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si e vetmja rrugë përpara për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në fund të komunikatës së përbashkët. /FolDrejt/