Pas tri ditë aktivitetesh të shumta, sonte me ndezjen e flakadanëve në Prekaz ka përfunduar manifestimi Epopeja e lavdishme e UÇK-së, në 23-vjetorin e rënies heroike të komandantit të saj legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij.
Qytetarë nga të gjitha pjesët e Kosovës dhe trojet tjera shqiptare, për tri ditë radhazi kanë ardhur në Prekaz, për të nderuar dhe kujtuar jetën dhe veprën e komandant Adem Jashari dhe familjes së tij në betejën e lavdishme të 5, 6 e 7 marsit 1998.
Ndryshe, manifestimi nisi më 5 mars, ku fillimisht në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës ora e parë mësimore iu kushtua Epopesë së UÇK-së, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri.