I pari i Listës Serbe, Goran Rakiq, është takuar me komandantin e KFOR-it në Kosovë, Gjeneral Major Angelo Michele Ristuccia.
Siç bëhet e ditur nga agjencia serbe e lajmeve, Beta, në këtë takim temë diskutimi ka qenë çështja e targave serbe, afati i fundit për konvertimin e të cilave kryhet me 31 tetor.
Rakiq gjatë këtij takimi ka shprehur qëndrimin kundërshtues për zëvendësimin e këtyre targave, duke thënë se serbët do të vazhdojnë t’i përdorin targat që i kanë përdorur deri më tani.
“Është dërguar mesazh i qartë se serbët nuk do të heqin dorë nga targat që kanë përdorur deri më tani, sepse janë të ligjshme dhe legjitime dhe se ekziston një shqetësim i arsyeshëm për reagimin e mëtejmë të Prishtinës në këtë drejtim” – ka thënë Rakiq.
Rakiq njëkohësisht ka folur edhe për paqëndrueshmërinë e gjendjes midis Kosovës dhe Serbisë, teksa ka shtuar se çështjet mes këtyre dy vendeve duhet të zgjidhen përmes dialogut.
Ndërkaq, nga komandanti i KFOR-it ai ka kërkuar që të sigurohet paqja dhe stabiliteti./FolDrejt/