Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se Shqipëria ka mbajtur qëndrimin e duhur në lidhje me zhvillimet në veri të Kosovës.
Rama tha se Kosova duhet të jetë “fleksibël” ashtu si Shqipëria, për ta çuar kauzën e përbashkët “aty ku ne duam ta çojmë”, te njohja reciproke.
“Nuk kam pasur asnjëherë dhe e kam thënë këtë gjë unë s’kam iluzione për asnjë, të paktën nga këto aktorët publik që i njoh. Nuk kam iluzione. Unë nuk kam qëndrime për të modifikuar. Të kthehesha 20 herë mbrapa, 20 herë do i kisha bërë të njëjtat gjëra, sikundër, unë nuk jam i kushtëzuar nga qëndrimet e mia”, tha ai të mërkurën në një intervistë në A2CNN.
Rama tha se nuk është në interesin e përbashkët që Kosova të mbajë qëndrim linear.
“Kur ndodh diçka si ajo që ndodhi në Banjskë, unë mbajta qëndrimin e duhur. Por, ne nuk duhet të jemi asnjëherë linear, asnjëherë linear – sepse nuk është strategjike, nuk është në interesin tonë – por duhet të jemi shumë fleksibël në përpjekjen për ta çuar kauzën aty ku ne duam ta çojmë, dhe që kauzën ta çojmë aty ku duhet ta çojmë, mund ta çojmë vetëm duke arritur të mundim Serbinë në tryezë, ta imponojmë në tryezë njohjen reciproke të Kosovës”, shtoi ai.