Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se komuna e Prishtinës në bashkëpunim me organizata të ndryshme nga 22 deri më më 26 prill do të zhvillojë aktivitete për të sensibilizuar qytetarët mbi rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe të kujdesit ndaj natyrës, shkruan Fol Drejt.
“Me datat 22 deri më 26 prill, në bashkëpunim me organizata të ndryshme, Komuna e Prishtinës do të zhvillojë aktivitete për të sensibilizuar qytetarët mbi rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe të kujdesit ndaj natyrës.”, shkroi Rama në Facebook.
Rama njoftoi se më 22 prill do të organizohet aktiviteti i larjes së rrugëve në disa zona të qytetit, në të cilin do të marrin pjesë punonjës nga komuna e Prishtinës. Njëkohësisht, do të mblidhen mbeturinat sipërfaqësore nga zona të ndryshme në qytet.
Më 24 prill, në sheshin “Zahir Pajaziti” do të zhvillohet aktiviteti i organizuar nga Komuna e Prishtinës dhe Unisolar LLC, i mbështetur nga GIZ, me qëllim të sensibilizimit të qytetarëve për ruajtjen e mjedisit. Rreth 250 fëmijë nga shkollat fillore të Prishtinës do të marrin pjesë në aktivitete artistike dhe rekreative për të rritur vetëdijesimin rreth mbrojtjes së mjedisit.
Më datat 25 e 26 prill, në sheshin “Ibrahim Rugova”, Komuna e Prishtinës do të zhvillojë aktivitetin për shënimin e “Ditës Botërore të Tokës”. Në këtë aktivitet do të marrin pjesë Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, UNDP, Ambasada e Japonisë në Kosovë, Ambasada e SHBA-së në Kosovë dhe Zyra e Presidentes.
“Gjatë aktivitetit të fëmijëve do të vendoset një instalacion me njësi plastike, me qëllim të vetëdijësimit rreth ndotjes së ambientit, kurse nga data 26 prill për një periudhë dyjavore MMPHI do të vendosë një kuti metalike për grumbullimin e shisheve të plastikës.”, shtoi Rama.
Ai tha se nevoja për të mbrojtur mjedisin kërkon bashkëpunim në mënyrë që të arrihen rezultate sa më të shënuara.
“Le të bëjmë gjithçka që mundemi për ta ruajtur planetin tonë!”, theksoi Rama në fund. /FolDrejt/