Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, e ka vizituar Malin e Zi, ndërsa është mirëpritur nga homologu Dritan Abazoviq, shkruan Fol Drejt.
Rama nga atje u shpreh se falë Procesit të Berlinit dhe falë nismave të tjera që janë ndërmarrë, rajoni ndodhet në një fazë tjetër të historisë.
“Ishte si gjithmonë kënaqësi e veçantë, jo sepse kështu e kërkon diplomacia që të thuhet, por sa herë takohem me kryeministrin Abaozviq, me mikun tim gjithmonë e më të afërt, Dritan, është një kënaqësi shumë e veçantë, sepse Dritani është ndër të paktët që në këtë lagjen tonë, në zemër të Evropës që quhet Ballkan, e shikon politikën si qytetar dhe jo si përfaqësues i një etnie dhe kjo është diçka, sa e rrallë, aq e çmuar”, tha Rama.
Sipas Ramës, ai e ka shfrytëzuar këtë vizitë për t’i diskutuar disa tema:
“Nga njëra anë, Procesi i Berlinit, nga ana tjetër, Samiti i ardhshëm i NATO-s, ku Shqipëria dhe Mali i Zi, janë së bashku anëtarë të NATO-s. Ka qenë një ditë e shënuar për ne, shqiptarët në Shqipëri dhe për shtetin shqiptar, kur Mali i Zi u bë anëtar i NATO-s”.
Më tej Rama tha se “për ne është shumë e rëndësishme që në këtë samit të NATO-s, të kemi një qëndrim të përbashkët lidhur me rajonin dhe shqetësimet në rajon” – ka thënë ai ndër të tjera.
Turi i tij ballkanik pritet të përfundojë në Serbi./FolDrejt/