Kryeministri Rama përmes një reagimi për emisionin “Opinion” ka sjellë qëndrimin e tij lidhur me Komunitetin Politik Europian dhe takimin e Pragës, në të cilin ishte pjesë.
Duke theksuar rëndësinë e Europës si komunitet, Rama shprehet ndër të tjera se tashmë jemi në një epokë të rrezikut të zyrtarizuar.
“Sot ama epoka e qetësisë ka mbaruar, ka filluar epoka e rrezikut e cila është zyrtarizuar, duke na përballur me një tjetër emergjencë të përbashkët kaq dramatike. Agresioni rus me pasojat tronditëse politike e ekonomike që vijon të ketë. Sidomos me frikën që ka mbjellë në jetët e vendeve dhe të qytetarëve tanë, na ka sjellë sërish përpara një domosdoshmërisë absolute për të vepruar si një trup, Bashkim Europian dhe Europë. Qytetarëve të Europës nuk iu është dashur të përballen kurrë më parë me kaq shumë sfida të përbashkëta, pavarësisht se ku ata ndodhen, qysh nga Lufta e Dytë Botërore. Dhe prandaj, është shpresa se Komuniteti i ri Politik do të bëhet një platformë e përbashkët, në të cilën do të mendojmë për sfidat e së ardhmes në një mënyrë që na bashkon që i çmon përvojat dhe respekton dinamikat e brendshme të të gjitha shteteve individuale të Europës, por që ndërkohë ndryshon konceptin e asaj çka nënkupton të qenit së bashku në këtë territor pavarësisht se kush është BE dhe kush vetëm E, një bashkëjetesë dhe një veprim kolektiv. Unë dua të shpresoj se, duke reaguar së bashku në mbrojtje të integritetit territorial të Ukrainës, kemi marrë mësimin se pikërisht kështu do të gjejmë edhe vullnetin për të luftuar jo vetëm kundër mënyrës sesi disa të tjerë i bëjnë gjërat, por edhe për mënyrën sesi ne duhet t’i bëjmë gjërat, si një Komunitet i tërë Politik Europian”, shprehet Rama./Opinion.al/