Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është shprehur i bindur se Ballkani i Hapur do të vazhdojë pavarësisht zërave kritikë.
Ai zbuloi se pikërisht ishte Ballkani i Hapur që bëri të mundur që Serbia të ishte në anën e Perëndimit në OKB kundër Rusisë.
“Jemi të vendosur për të ecur më tutje për të ecur me Ballkanin e Hapur le të thonë çfarë të duan përfaqësuesit e turbofolkut nacionalist. Ne do vazhdojmë me Ballkanin e Hapur”, është shprehur Rama.
“Për dy javë rresht Serbia bashkohet me perëndimin në OKB kundër Rusisë. Pa Ballkanin e Hapur kjo nuk do të kishte ndodhur”.
“Ballkani i Hapur është i çmueshëm për të ardhmen e rajonit. Ne na duhet ta mbajmë këtë kurs paqeje dhe sigurie. Mos harroni që në Ballkan ka filluar edhe një luftë botërore. Ne nuk kemi asnjë llogari që ti fryjmë zjarreve, por duhet ti fryjmë erës së bashkëpunimit”, tha Rama ne nje konference pas përfundimit te Kongresit te PS. /Panorama/