Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, paralajmëroi se në këtë vend do të arrijnë edhe 90,800 vaksina AstraZeneca kundër koronavirusit.
Në një postim në Facebook, Rama tha se dozat e reja do të arrijnë në fundjavë.
“Shqipëria do të vijojë të qëndrojë në vendet e para të klasifikimit evropian për shpejtësinë e vaksinimit dhe ne do ta tejkalojmë objektivin e 500 mijë të vaksinuarve brenda majit”, shkroi Rama.
Më 28 mars, vendi ka nisur vaksinimin masiv, fillimisht në Tiranë, për të vazhduar më pas në qytete të tjera.
Përveç vaksinave të kompanisë anglo-suedeze AstraZeneca, Shqipëria ka siguruar vaksina edhe nga prodhuesi amerikano-gjerman, Pfizer/BioNTech, si dhe nga Rusia dhe Kina.
Të gjitha këto vaksina duhet të jepen në dy doza për të qenë sa më efektive.
Sipas Universitetit Johns Hopkins në SHBA, i cili ndjek të dhëna për pandeminë, Shqipëria ka konfirmuar mbi 128,000 raste me koronavirus dhe 2,331 viktima.