Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka thënë se është ndjerë i nderuar me pritjen që i është bërë sot nga korporata ‘’Devolli’’, me vizitat e tij që bëri në fabrikat M&Sillosi, por edhe në Comodita.
Rama tha se puna që bëhet në këto dy fabrika prodhimi, është një ekselencë, të cilën sipas tij, Shqipëria shpreson ta ketë një të tillë për të shfrytëzuar gjithë logjistikën e portit atje, përcjell klankosova.tv.
”Shqipëria sot është në një fazë të re zhvillimi. Dhe në një moment ku realisht ja vlen të investohet, posaçërisht në turizëm dhe patjetër dhe pastaj edhe në gjithë linjat e prodhimit por mbi atë të përpunimit në fushën e ushqimit”.
”Sot ne patëm mundësinë që të shohim një nga ekselencat jo të Kosovës dhe Shqipërisë, por të krejt rajonit tonë, tek M&Sillosi dhe këtu tek një tjetër ekselencë e eksportit, që e ka zërin e vet deri në ShBA dhe shpresojmë që së shpejti ta kemi një tjetër fabrikë në Shqipëri, për të shfrytëzuar gjithë logjistikën e portit atje”.
”Dua t’ju them që ne jemi shumë të interesuar që të kemi një prani më të madhe të sipërmarrje të Kosovës në Shqipëri”.
”Sepse pavarësisht që vizitorët e huaj janë potencial, ne na duhen kampionët shqiptarë, e natyrisht jo të gjithë shqiptarët jetojnë në Shqipëri dhe investojnë në Shqipëri”.
”Do të ishte një privilegj i madh për Shqipërinë t’ju kishim ju atje. Së shpejti në javë të ardhshme do ta rrisim shkallën e pagave të pataksuara”.
Tutje kryeministri Edi Rama foli edhe për çështjen e Ballkanit të Hapur, për të cilin u shpreh se me këtë ide, secili do ta merrte atë që i takon, përcjell klankosova.tv.
”Është shumë për të qeshur dhe për të qarë kur Ballkanin e Hapur, e trajtojnë si një instrument që do marri Serbia tregun. Por, po të shikosh volumin tregtar të Serbisë, rritjen më të madhe e ka këtu. Pavarësisht gjithë pengesave, problemeve, dhe gjithë marrëdhënieve që janë dhe në këtë rast përgjegjësia është në anën e Serbisë është në anën e Kosovës. Praktikisht volumi më i madh tregtar është këtu dhe rritja më e madhe është këtu”.
”Pra, nuk është çështja se Ballkani i Hapur do bëjë ndonjë gjë tjetër përveç se do krijojë hapësirë shumë më të madhe për të gjithë. Do të zgjerojë shumë me tepër frymëmarrjen e ekonomike për të gjithë, dhe secili do të marri pjesën e vet të asaj që i takon. Ti nuk mund të nisesh si e si të pengosh tjetrin, pavarësisht se për vete mund të vuash shumë më tepër. Ti duhet të nisesh si e si të fitosh për vendin tënd, pastaj të tjerët të fitojnë pjesën e tyre. Kjo nuk është diçka që duhet ta pengosh, apo që do duhej të ishte shqetësimi yt fare”.
”Sa më mirë të jenë ekonomikisht fqinjët, aq më mirë shkojnë punët edhe në drejtimin politik”./klankosova.tv/