“Një lajm fantastik për të cilin po punohet prej kohësh.” Kështu e ka komentuar kryeministri Edi Rama ngritjen e një shtabi pararojë të Komandës së Operacioneve Speciale të SHBA-së për Evropën, në Shqipëri.
Në një transmetim direkt nga zyra e tij në Kryeministri Rama ndërsa citonte deklaratën e bërë nga Forcat Speciale amerikane tha se ky zhvillim është shprehje e një besueshmërie të lartë dhe një bashkëpunimi të afërt mes dy vendeve. Po ashtu, kreu i qeverisë falënderoi edhe ambasadoren amerikane Yuri Kim për ndikimin që diplomatja amerikane ka pasur në “lehtësimin që i është bërë ndërveprimit mes dy palëve.”
DEKLARATA E PLOTË E KOMANDËS SË OPERACIONEVE SPECIALE TË SHBA-SË PËR EVROPËN
Si pjesë e përpjekjejeve të vazhdueshme për rritjen e aftësive të Forcave të Operacioneve Speciale, si një gur themeli për stabilitetin rajonal, Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-së për Evropën (SOCEUR) ka vendosur të ngrejë në Shqipëri një shtab të bazës të Forcave të Operacioneve Speciale, me rotacion.
Vendndodhja e selisë në Shqipëri do të sigurojë ndërveprueshmëri më të madhe me aleatët tanë shqiptarë, qasje të rëndësishme në qendrat e transportit në Ballkan dhe fleksibilitet më të madh logjistik.