Ai shtoi se do të mbeten gjithnjë, me vendosmëri, krah Republikës së Kosovës “çdo herë që e drejta e saj sovrane për tu qeverisur nga autoritetet e veta do vihet në pikëpyetje në çfarëdolloj forme”
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka organizuar për festat e fundvitit pritjen tradicionale me ambasadorët e akredituar në Shqipëri, ndërkohë në fjalën e tij ai është ndalur në disa çështje që lidhen me zhvillimet e fundit në Kosovë, sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë, luftën Rusi-Ukrainë dhe çështje të tjera, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Duke folur për zhvillimet e fundit në Kosovë, kryeministri Rama në fjalën e tij theksoi se rritja e tensioneve në veri të Kosovës është jo vetëm e padobishme, por edhe thellësisht shqetësuese.
“Është e pabesueshme që na duhet të merremi vazhdimisht me shfaqjen e barrikadave, prapa-kthime në procesin e normalizimit dhe ekipe zjarrfikësish të SHBA-së dhe BE-së që vrapojnë të shpëtojnë makinerinë e dialogut nga flakët e një retorike të rënduar politike. Së fundmi, dëgjuam deri për kërkesa të bëra NATO-s për të dërguar trupa serbe në veri të Kosovës, për të mbrojtur serbët etnikë. E kuptoj që kjo mund të jetë një tjetër shashkë speciale e retorikës politike, por është po kaq surreale sa do të ishte nëse Kosova do t’i kërkonte NATO-s të dërgonte trupa shqiptare në Serbinë jugore për të mbrojtur shqiptarët etnikë. E gjitha kjo është tejet larg asaj për të cilën kemi nevojë”, tha Rama, duke shtuar se Kosova “nuk do të jetë kurrë më nën ligjin e Beogradit”.
Ai shtoi se do të mbeten gjithnjë, me vendosmëri, krah Republikës së Kosovës “çdo herë që e drejta e saj sovrane për tu qeverisur nga autoritetet e veta do vihet në pikëpyetje në çfarëdolloj forme”.
“Ndërtimi i urave të bashkëpunimit me Serbinë, jo vetëm është gjëja e duhur për t’u bërë, por është diçka që i shërben pikërisht interesave tona si vend dhe si komb, e kjo promovon paqen në një rajon ku fantazmat e së shkuarës janë kaherë gati që t’i shpallin luftë së ardhmes sonë të përbashkët”, tha Rama.
Kryeministri Rama foli edhe për sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë, ku theksoi se “Shqipëria vuajti dhe një sulm të rëndë kibernetik nga Republika Islamike e Iranit”.
“Ndërprerja e lidhjeve tona diplomatike me Iranin nuk ishte një vendim që e morëm lehtë. Irani është një komb i madh, me një kulturë të madhe dhe dua të përshëndes këtu sot, me admirim të plotë, kurajën që po i tregojnë botës vajzat dhe gratë iraniane duke luftuar për të kthyer në fytyrën e tyre dritën e diellit të marrë peng nga një epokë errësire”, tha Rama.
Duke folur për luftën Rusi-Ukrainë, Rama theksoi se Shqipëria do të rrijë krah Ukrainës deri në fund.
“Jemi përulësisht të nderuar që na është dhënë privilegji për të mbështetur si anëtar jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit kauzën e drejtë të shtetit të Ukrainës”, u shpreh Rama./FolDrejt/