Pas mbylljes së pikës kufitare në Merdarë dhe vendosjes së barrikadave të reja nga grupet kriminale serbe të dirigjuara nga shteti i Serbisë, ka reaguar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmerinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ai ka thënë se tashmë po hyjmë në një fazë kritike dhe duhet shtuar mobilizimi politik, diplomatik, intelektual dhe i sigurisë.
Ky është reagimi i plotë i kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj:
“Skenari i regjimit pro-rus të Serbisë për destabilizimin e Kosovës, po hyn në një fazë kritike.
Mbyllja e pikave kufitare njëra pas tjetrës, sulmet e grupeve kriminale të sponzorizuara nga Serbia, ndaj qytetarëve, gazetarëve, Policisë, Eulexit e pjesëtarëve të KFOR-it dhe kujtdo tjetër që e kundërshton këtë skenar ogurzi, kanë marrë përmasa shqetësuese.
Gjendja mund të përshkallëzojë dhe të dalë krejtësisht jashtë kontrollit.
Prandaj në një situatë të tillë, është urgjente që Kosova të mobilizojë gjithë potencialin e vet politik, diplomatik, intelektual e të sigurisë në përballje me këtë rrezik të madh.
I bëj thirrje Kryeministrit që të sillet në përputhje me situatën e krijuar!
Serbia nuk zbrapset me retorika boshe luftënxitëse e as me “trimat e rrjeteve sociale”.
Gjendja është e rëndë dhe kërkon maturi e koordinim, jo vetëm me faktorin e brendshëm por edhe me partnerët ndërkombëtarë.
Njëkohësisht, lus partnerët e sigurisë, posaçërisht Washingtonin, që ta marrin nën kontroll situatën në veri dhe ta ndalin përshkallëzimin e mëtejmë, i cili paraqet rrezik edhe për paqen në rajon!”.