Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke refuzuar ta ndjekë rrugën amerikane, është duke i shërbyer interesave ruse dhe serbe për destabilizimin e veriut dhe të rajonit.
“Përfundimisht, kryeministri Kurti duke refuzuar ta ndjekë rrugën amerikane, është duke i shërbyer interesave ruse dhe serbe për destabilizimin e veriut dhe të rajonit. Jam i bindur se SHBA dhe NATO nuk do ta lejojnë një gjë të tillë, dhe do të kthehet normaliteti në veri”, ka thënë Haradinaj.
“Pas sanimit të pasojave nga gjendja e krijuar, secili që ka qenë i përfshirë në aktet kriminale në veri, do ta marrë ndëshkimin e merituar, por edhe meritat për të gjithë ata që ishin në shërbim të mbrojtjes së Atdheut, posaçërisht policët, të cilëve Kosova u ka shumë borxh”, ka shtuar ai.
Haradinaj potencoi se kryeministri Kurti duhet të ndërrojë kurs të qeverisjes ose të lëshojë rrugë.
“Por a është e humbur shpresa për Kosovën dhe a mund të kthehet ajo në drejtimin e duhur. Sigurisht se po, por jo me këtë qasje që e ka kryeministri. Ai duhet të ndërrojë kurs, ose duhet të lëshojë rrugë. E para, Kryeministri dhe Qeveria, nuk duhet të ndërmarrin asnjë hap krye në vete e pa koordinim me partnerët strategjikë, SHBA dhe BE, aq më tepër për procese nga të cilat varet perspektiva euro-atlantike e vendit. Me Serbinë nuk mund të merremi vesh pa ndihmën e Amerikës dhe Albin Kurti duhet ta kuptojë këtë”, ka përfunduar kreu i AAK-së.