Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës, sipas të gjeturave të një raporti të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), për vitin 2022 e ka shkelur disa herë ligjin, raporton Fol Drejt.
ZKA ka gjetur se në tetë raste, Zyra e Presidentit të Kosovës i ka tejkaluar afatet e parapara ligjore me zëvendësues të detyrës.
“Raporti i Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës për vitin 2022”, ka rezultuar me gjetje që faktojnë shkeljen e ligjit në të paktën 8 raste:
“Në tetë raste kemi vërejtur se pozitat e rregullta të punës ishin zëvendësuar përmes vendimeve si zëvendësues, detyre në pozita të ndryshme e që ushtronin këto detyra për më gjatë se 12 muaj”; ndonëse në sipas Ligjit nr.06/L-114 për Zyrtarët Publik, neni 32 paragrafi 4 parasheh:
“Përjashtimisht, një pozitë e rregullt pune në Shërbimin Civil mund të plotësohet në rast të nevojës rë zëvendësimit apo mungesës së përkohshme të një nënpunësi civil varësisht nga rasti, për një periudhë jo më të gjatë se 12 muaj.”
Tutje Zyra Kombëtare e Auditimit më tej në raport ka theksuar se mbajtja e pozitave si zëvendësues me gjatë se afati i paraparë me ligj, janë bërë si rezultat i mos kujdesit të duhur nga menaxhmenti i ZPRK-së.
“Mbajtja e pozitave e zëvendësues për një kohë më të gjatë, përveç se nuk është në pajtueshmëri me legjislacionin në fuqi, rrezikon që pozitat e ndryshme të mbahen nga persona që nuk i përmbushin kriteret e kërkuara/përcaktuara për pozitat adekuate.”
ZKA sugjeron që të ndërmerren veprimet e nevojshme nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm, për plotësimin e pozitave që janë duke u ushtruar nga zëvendësuesit./FolDrejt/