Franca ka “përgjegjësi të madhe” për gjenocidin e vitit 1994 në Ruandë, është thënë në raportin e disa historianëve francezë, mirëpo nuk janë gjetur prova të përfshirjes franceze në këtë akt.
Komisioni i ekspertëve i ka prezantuar këtë raport presidentit francez Emmanuel Macron, pasi ka analizuar dokumentet zyrtare franceze.
Në raport është thënë se Franca ka qenë “e verbër” ndaj përgatitjeve për gjenocid.
Të paktën 800,000 persona kanë vdekur, kur ekstremistët hutu kanë masakruar minoritetin tutsi.
Publikimi i këtij raporti mund të ndihmojë në uljen e tensioneve në mes të Francës dhe Ruandës, pasi kjo e fundit e ka akuzuar Francën për kohë të gjatë për përfshirje.
Elita hutu ka udhëhequr Ruandën kur ka ndodhur gjenocidi në periudhën prill-qershor 1994, mirëpo ajo më pas është rrëzuar nga pushteti nga Fronti Patriotik i Ruandës, që është udhëhequr nga pjesëtari i pakicës tutsi Paul Kagame, që tani është president.
Në raport është fajësuar presidenti i atëhershëm i Francës, François Mitterrand, për “dështim” të politikave në çështjet për Ruandën më 1994.
Presidenti Macron ka formuar këtë ekip prej 15 zyrtarësh dy vjet më parë, duke iu dhënë atyre qasje në arkivat presidenciale, diplomatike, ushtarake dhe ato të inteligjencës.
Aty ka edhe të dhëna për ish-presidentin Mitterrand, i cili ka pasur lidhje të ngushta me ish-presidentin e Ruandës Juvénal Habyarimana, nga komuniteti hutu.