Ukraina ka paralajmëruar se Rusia pothuajse e ka përfunduar grumbullimin e trupave që mund të përdoren në sulm kundër saj. Sipas një raporti të inteligjencës, shifra e ushtarëve rusë afër kufirit është mbi 127 mijë.
“Fuqia e plotë e grupit tokësor të Forcave të Armatosura të Federatës Ruse në drejtim të Ukrainës – mbi 106 000 pjesëtarë. Së bashku me forcat detare e ajrore, numri i përgjithshëm i personelit është mbi 127 000 ushtarë”, është thënë në vlerësimin e inteligjencës së Ministrisë së Mbrojtjes në Ukrainë.
Sipas raportit, situata është e vështirë dhe Ukraina beson se Rusia “po përpiqet që t’i ndajë dhe t’i dobësojë Bashkimin Evropian dhe NATO-n”, shkruan “CNN”.
Vlerësimi i inteligjencës ka thënë se veprimet e Rusisë gjithashtu kanë për qëllim që t’i kufizojnë kapacitetet e Shteteve të Bashkuara “për ta garantuar sigurinë në kontinentin evropian”.
Raporti i inteligjencës së Ukrainës vjen pas tri rundeve të bisedimeve diplomatike javën e kaluar mes Rusisë dhe Perëndimit, të cilat u zhvilluan me qëllim të lehtësimit të krizës rreth Ukrainës, por të cilat nuk prodhuan ndonjë zgjidhje.