Rezolutën e OKB-së për dënimin e Rusisë për nisjen e pushtimit të Ukrainës dhe pezullimin e Rusisë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara, drejtori Institutit KIPRED, Lulzim Peci, po e sheh si mundësi të mirë për Kosovën, që të rivendos kontakte vendet që kanë tërhequr njohjen e Kosovës.
Ish diplomati Peci, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Një numër i vendeve që i kanë ngrirë apo tërhequr njohjet e Kosovës, dhe atë me ndikimin direkt të Rusisë, janë duke e tërhequr përkrahjen e tyre ndaj Kremlinit, dhe kjo po shihet sidomos nga dy votimet e fundit të Asamblesë Gjenerale të Kombeve të Bashkuara në lidhje me agresionin rus në Ukrainë”.
“Kishte qenë mirë që MPJ e Kosovës të shfrytëzojë këtë rast që të rivendosë kontaktet me këto shtete dhe t’i rikthejë prapa këto njohje të humbura”, ka shkruar Peci, transmeton Telegrafi.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 2 mars votoi një rezolutë për të dënuar Rusinë për nisjen e pushtimit të Ukrainës dhe kërkoi që Moska të ndalte luftimet dhe të tërheqë forcat e saj. Ky vendim ka për qëllim izolimin diplomatik të Rusisë në këtë organizatë ndërkombëtare.
Rezoluta, që u mbështet nga 141 anëtarë nga 193 sa janë gjithsej në OKB, i mbylli punimet e një seance urgjente që u thirr nga Këshilli i Sigurimit.
Ndërsa, të enjten Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka pezulluar Rusinë nga Këshilli për të Drejta të Njeriut, pas raportimeve “për shkelje sistematike dhe abuzim të të drejtave të njeriut”, nga trupat ruse që kanë pushtuar Ukrainën.
Kjo kërkesë e shtyrë nga Shtetet e Bashkuara është miratuar me 93 vota për, 24 kundër dhe 58 shtete kanë abstenuar.
E në mesin e vendeve që kanë mbështetur pezullimin ishte edhe Serbia.
Kina, Siria dhe Bjellorusia kanë votuar kundër.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se Serbia ka dashur të abstenojë nga votimi për pezullimin e Rusisë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara, por për shkak të presionit u vendos që të votohet pro rezolutës.