Më 13 mars është konfirmuar rasti i parë me COVID-19 në Stubëll të Vitisë. Që nga ajo ditë, katër banorë të këtij fshati janë në karantinë. Atyre u janë bërë dje testimet për të parë nëse janë shëruar, por prapë kanë dalë pozitivë. Ata do të vazhdojnë që të qëndrojnë në izolim, derisa sot pritet të testohen edhe 11 persona të tjerë të cilët kanë pasur kontakt me tri rastet që janë konfirmuar mbrëmë, raporton Express.
Detaje rreth tri rasteve që u konfirmuan mbrëmë ka dhënë Kryetati i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti.
Haliti ka treguar se të infektuarit janë nga fshati Gorishtë dhe Smirë dhe se në mesin e të infektuarve është edhe një 4-vjeçare.
“Mbrëmë kanë dal pozitive tri raste. Dy janë nga fshati Smirë dhe një nga fshati Gorishtë. Në mesin e të infektuarve është edhe një 4-vjeçare”, ka thënë Haliti.
I pari i Vitisë ka njoftuar se katër banorët e Stubllës që janë testuar dje për të parë nëse janë shëruar kanë dal pozitivë.
Ai ka bërë me dije se sot do të testohen edhe 11 persona nga kjo komunë, të cilët kanë qenë në kontakt me të infektuarit.
“Ata që janë testuar dje nga fshati Stubëll, të katërtit kanë dal prapë pozitiv. Ata gjenden në izolim qe 35 ditë. Aktualisht i kemi 21 raste aktive. Sot do të testohen edhe 11 persona, të cilët kanë pasur kontakt me të infektuarit”, ka thënë Haliti për Express.
Ndryshe, mbrëmë janë konfirmuar edhe 26 raste të reja me koronavirus. Me këtë shifër, numri i të infektuarve në gjithë vendin shkon në 449 me 12 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
Rastet pozitive janë raste kontakti nga Suhareka, Prishtina, Gjilani, Lipjani, Vitia, Leposaviqi, Kamenica, Vushtrria dhe Podujeva.