Më 8 dhjetor të vitit të kaluar Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, në një konferencë për shtyp kishte njoftuar se 12 mostra të Astrit Deharit janë zhdukur nga Laboratori i Toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Prej asaj dite e deri më sot, sipas opozitës, nuk është bërë asgjë për zbardhjen e rastit, shkruan Fol Drejt.
Haxhiu pat thënë se vetëm tre persona kishin qasje në vendin ku ruheshin mostrat tash e sa vjet. Menjëherë më pas, u pezulluan nga puna zyrtarë të Institutit.
“Pas pranimit të informacionit të zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, Komisioni Disiplinor i Institutit për Mjekësi Ligjore/ Ministria e Drejtësisë, mori vendim për pezullim nga puna të zyrtarëve: Nardi Sheqergjiu, toksikolog mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore, Flutura Goga, udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, Anila Lakna, teknike e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, dhe Ilirjana Shala, kimiste në Institutin për Mjekësi Ligjore. Vendimi ka hyrë në fuqi më 8.12.2022”, thuhej në njoftimin e Ministrisë.
Mirëpo opozita dyshon që rasti Dehari qëllimisht nuk është zgjidhur, sepse “dikush nuk deshti që ky rast të zgjidhet!”
Kështu të paktën ka thënë deputetja e “konvertuar” në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica Xhelili, ndërsa ka shtruar disa pyetje fundamentale:
“Me këtë zhdukje të mostrave, ky rast mund të mos zgjidhet më kurrë! Dikush nuk deshti që ky rast të zgjidhet! Kush, nuk e di, por di që e gjithë kjo po ndodh TANI! Në këtë qeverisje! Por, sot qeverisë nuk po i pengon kthimi i zyrtarëve të IML-së. Nuk po i pengojnë ditët që po kalojnë pa u gjetur mostrat. Sot diçka ka ndryshuar. Duken më të qetë. Sikur më në fund, ajo që ndryshoi, po i jep qetësi, edhe në qoftë se kjo nënkupton që nuk do të ketë kurrë drejtësi!”
Sot gjatë ditës pat po ashtu një reagim nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila ka kërkuar që rasti i zhdukjes së mostrave, të zbardhet.
Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda në një konferencë për media kërkoi që Prokurori i Shtetit të mos i kursej as krerët më të lartë të shtetit, duke e përfshirë këtu edhe Kryeministrin Albin Kurti, bashkë me ministren Haxhiu.
“Ditëve të fundit, opinioni publik është njoftuar më fakte të reja në lidhje me zhdukjen e mostrave të rastit Dehari në Institutin e Mjekësisë Ligjore pranë Ministrisë e Drejtësisë. Pretendimet e ngritura, që përfshin në këtë rast Kryeministrin Kurti dhe Ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu, si pjesëmarrës në zhdukjen e këtyre mostrave në në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Kryeministri Kurti dhe Ministrja Haxhiu duhet të sqarojnë opinionin publik se çfarë dinë ata në lidhje më zhdukjen e mostrave të rastit Dehari, cilat veprime janë ndërmarrë deri tani për të zbardhur të vërtetën e plotë rrethanat e zhdukjes së këtyre provave? Pse po heshtin karshi akuzave që i përfshijnë ata në mënyrë direkte në krimin e zhdukjes së mostrave të rastit Dehari?”, shtoi ai.
Rasti Dehari u rikthye në vëmendjen e opinionit publik, pas një konference të cilën e mbajti deputeti Haki Abazi javën që iku.
Ishte ai që tha se “video-incizimet janë ato të cilat ju duhet t’i kërkoni për të konfirmuar se kush ka zhdukur mostrat e rastit Dehari!”
Astrit Dehari pat vdekur në rrethana të dyshimta në vitin 2016 në burgun e Prizrenit./FolDrejt/