Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione e ka pasur përballë sot Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishin, shkruan Fol Drejt.
Kryeprokurori Munishi është shprehur para komisionit, se për rastin e 11 vjeçares në Prishtinë, është vepruar me urgjencë.
“Sa i përket rastit të 11 vjeçares ka qenë e papranueshme dhe e pakuptimtë jo profesionale dhe jo etike që dikush të jap një gjykim për rastin, pa i parë veprimet e Prokurorisë Themelore të Prishtinës. Është shumë keq e papranueshme sepse po ashtu në zyrën tonë i kemi marr të gjitha veprimet procedurale konform Kodit të Procedurës, Kodit Penal, Ligjeve dhe Kushtetutës dhe konfrom konventave ndërkombëtare” – ka thënë ai ndër të tjera.
Ai i ka rrëfyer edhe njëherë detajet, duke u shprehur se edhe kërkesa për dorëheqje, nuk është e drejtë.
“Është e padrejtë të kërkohet dorëheqje, është e padrejtë të sulmohet një institucion edhe është e padrejtë të ndërhyhet në punën e sistemit të drejtësisë pa bazë dhe provë“, tha ai.
Ishte deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ajo e cila i tha se arsyet për dorëheqje janë të forta:
“Një fëmijë është dhunuar në formë të përsëritur dy herë!”
Megjithatë në replikën e tij, Munishi i ka thënë se është e gabueshme dhe tendencioze kjo kërkesë.
Debati ka vijuar rreth efikasitetit të sistemit në trajtimin e këtyre rasteve./FolDrejt/