Sot, ndërsa Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), nën asistimin e Policisë së Kosovës kanë shkuar në zyrat e Ndërmarrjes “AgroKosova Holding”, me ç’rast kanë marrë nën administrim këtë ndërmarrje. Gjatë kësaj periudhe është arrestuar kameramani i agjencisë së lajmeve: Ekonomia Online, Albion Selitaj, në kohën që ai po bënte detyrën e tij.
Në lidhje me këtë arrestim, nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se angazhohen për krijimin e një ambienti më të favorshëm dhe të sigurt për punën e medieve, transmeton Fol Drejt.
“Institucionet e rendit dhe ligjit e kanë përgjegjësi të bëjnë punën në mënyrë profesionale dhe brenda kornizave ligjore, duke respektuar të drejtat e secilit e duke mbrojtur secilin nga padrejtësitë.
Ato duhet të synojnë gjithmonë mirëkuptim për punën e punonjësve të medieve dhe t’ju mundësojnë hapësirë për raportim nga ngjarjet publike dhe me interes publik.
Pas rastit të sotëm me kameramanin e agjecisë së lajmeve EO, Ministri i Punëve të Brendshme menjëherë ka kërkuar nga Inspektoriati Policor i Kosovës të fillojë hetimet për rastin. Policia e Kosovës është ndër institucionet me besueshmërinë më të lartë tek qytetarët falë punës dhe angazhimit profesional të tyre që dëshmohet çdo ditë.
Liria e medies është vlerë themelore e demokracisë, dhe Qeveria e Republikës së Kosovës angazhohet për krijimin e një ambienti sa më të favorshëm dhe më të sigurt për punën e tyre” – ka shkruar Përparim Kryeziu, zëdhënës i qeverisë./FolDrejt/