Motra e vëllezërve Atdhe, Behar dhe Shkodran Murturi, të cilët dyshohet se gjatë muajit të kaluar e kanë rrahur imamin Zeqir Berisha në fshatin Lupç të Podujevës, ka reaguar me anë të një Deklaratë Familjare, duke thënë se vëllezërit e saj janë të pafajshëm dhe se mediat i kanë “shpallur” ata fajtorë.
Arlinda Murturi pretendon se mbrëmjen e datës 21 korrik 2022, Atdheu së bashku me vëllanë e tij të mitur kanë shkuar për të falur namazin e jacisë dhe se në hyrje të xhamisë e kanë gjetur të shtrirë dhe të lënduar rëndë imamin, Zeqir Berisha.
“Menjëherë e kanë lajmëruar policinë dhe ambulancën, siç do të vepronte çdo qytetar i ndërgjegjshëm. Më pas kanë ardhur edhe qytetarë të tjerë dhe së bashku me ndihmën e tyre i kanë dhënë ndihmën e parë imamit të lënduar”.
“Me të ardhur policia në vendin e ngjarjes, Atdheun e kanë pyetur në cilësinë e dëshmitarit, mirëpo më pas në ora 01:00 të natës e kanë arrestuar së bashku me dy vëllezërit e tjerë, Beharin dhe Shkodranin, duke i bërë si të dyshuar për sulmin ndaj imamit, edhe pse këta dy të fundit kanë qenë në shtëpi kohën kur ka ndodhur ngjarja. Pra, Shkodrani dhe Behari kanë qenë në shtëpi kohën kur është sulmuar imami”, shkruan mes tjerash Murturi.
Ajo po ashtu i bëri thirrje mediave që në mënyrë profesionale dhe të ndërgjegjshme të raportojnë për këtë rast dhe t’i lejojnë organet kompetente ta zbardhin të vërtetën, sepse përndryshe thotë se si familjarë zotohen që do të ndërmarrim të gjitha hapat ligjorë.