Byroja Federale e Hetimit (FBI) ka arrestuar Steward Rhodes, udhëheqësin e grupit të ekstremit të djathtë ‘Oath Keepers’, i cili akuzohet për “komplot dhe nxitje rebelimi” në kuadër të hetimit për trazirat e 6 janarit të vitit 2021 në Kongresin e SHBA-së, shkruan Anadolu Agency, transmeton FOl Drejt.
Departamenti Amerikan i Drejtësisë në një njoftim thekson se juria e madhe federale në Washington ka akuzuar 11 persona, përfshirë 56-vjeçarin Rhodes, për komplot dhe nxitje rebelimi.
Më tej, shtohet se përveç Rhodes, sot në Phoenix të Arizonës u ndalua edhe 63-vjeçari Edward Vallejo.
Sipas ligjit amerikan, personat e akuzuar për konspiracion dhe nxitje rebelimi mund të dënohen deri në 20 vjet burg.
Më 6 janar të vitit 2021, grupet e ekstremit të djathtë dhe mbështetësit e ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, sulmuan ndërtesën e Kongresit ku u mbajt seanca për të konfirmuar rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit të vitit 2020.
Gjatë këtyre trazirave u vranë pesë persona, duke përfshirë një oficer policie.