Nëpërmjet një komunikate të përbashkët nga ana e Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, është bërë e ditur se në aksionin e ndërmarr në disa qytete të Kosovës për rastin “Subvencioni 2021”, janë arrestuar dhjetëra persona, shkruan Fol Drejt.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës, përkatësisht Hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike, kanë realizuar një aksion i cili është vazhdim i aksioneve të mëhershme për rastin Subvencioni 2021, në disa lokacione të ndryshme të Kosovës” – thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Po ashtu bëhet e ditur nga Prokuroria Speciale se “nga ky aksion janë ndaluar dhe intervistuar gjithsejtë tridhjetenjë (31) persona, prej tyre dymbëdhjetë (12) zyrtarë me pozita të ndryshme nga komunat dhe zyrat rajonale të Agjencionit Zhvillimor të Bujqësisë dhe zyrës rajonale të APK.
Ndërkaq, aksioni është zhvilluar në komunat:
• Pejë
• Istog
• Ferizaj
• Lipjan
• Prishtinë
• Kllokot
• Vushtrri
• Podujevë.
Përderisa, nëntëmbëdhjetë (19) persona janë intervistuar në cilësinë e përfituesve të subvencioneve. Përfituesit e subvencioneve janë nga komuna të ndryshme të Kosovës, të cilët dyshohet se kanë mashtruar me subvencione.
Personat e ndaluar dyshohet se kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Dhënie e ryshfetit”, “Mashtrim me Subvencione’’, si dhe “Falsifikim i dokumenteve”.
Gjithashtu, gjatë afateve kohore ligjore Prokuroria Speciale do të bëjë kërkesë për caktim e masës së paraburgimit të personave të cilët janë ndaluar nga aksioni i sotshëm.”/FolDrejt/