Sipas dokumenteve të paraqitura nga Prokurori i Përgjithshëm i Nju Jorkut, biznesi familjar i Donald Trump ka keqinterpretuar vlerën e disa prej aseteve të tij më të mëdha prej qindra milionë dollarësh. Prokurorja Letitia James akuzon Organizatën Trump për përdorimin e “vlerësimeve mashtruese të aseteve” për të marrë kredi, sigurime dhe lehtësime tatimore. Zoti Trump ka mohuar çdo akuzë. Ish-presidenti republikan e ka quajtur hetimin mbi praktikat e tij të biznesit një gjueti shtrigash të motivuar politikisht nga zonja James, e cila është një demokrate.
Ajo hapi një hetim civil në vitin 2019 përpara se zoti Trump të merrte detyrën dhe e akuzonte për fryrje të vlerave të aseteve të tij në banka kur kërkonte hua raporton “BBC”.
Avokatët e zotit Trump po përpiqen të ndalojnë zonjën James që të marrë në pyetje ish-presidentin amerikan dhe fëmijët e tij, dhe ai e ka paditur atë në përpjekje për të ndalur hetimin. Çështja civile e zonjës James është e ndarë nga një hetim penal që po zhvillohet në Manhatan për praktikat e biznesit të organizatës.
Në hetim janë përfshirë gjashtë nga pronat e tij në Nju Jork dhe Skoci, dhe “marka Trump”. Në dosjen gjyqësore thuhet se prona e tij e madhe në kontenë Westchester, në veri të Manhatanit, u vlerësua nga Organizata Trump me 291 milion dollarë në 2012, megjithatë një vlerësim në 2016 e vlerësoi atë shumë më ulët, me vetëm 56 milion dollarë.
Prokurori i Përgjithshëm gjithashtu pretendon se apartamenti trikatësh i zotit Trump në Kullën Trump të Nju Jorkut u vlerësua në bazë të një madhësie prej 2,800 metrash katrorë, por në fakt është 10,996 metra katrorë. Në dokumentet e dorëzuara në gjykatë prokuroria pretendon se të paktën dy deklarata të rreme janë bërë në Shërbimin e të Ardhurave të Brendshme që është organi kryesor tatimor në SHBA dhe që “e mbivlerësuan ndjeshëm” vlerën e dy pronave për të marrë një lehtësim tatimor.
Në korrik, Organizata Trump dhe shefi i saj i financave, Allen Weisselberg, u akuzuan për një skemë të supozuar 15 vjeçare për të ndihmuar drejtuesit të shmangnin taksat duke dhënë përfitime, të tilla si qiraja dhe tarifat e shkollës, që fshiheshin nga autoritetet.
Avokatët e firmës dhe zoti Weisselberg janë deklaruar të pafajshëm për mashtrimin tatimor. / abcnews.al