Duket se takimi i sotëm ndërmjet Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit Aleksandër Vuçiq në Bruksel, po pritet me interes të madh edhe nga bashkësia ndërkombëtare, shkruan Fol Drejt.
Së fundi Departamenti amerikan i Shtetit, i ka thënë të hënën REL-it se propozimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë paraqet mundësi për popujt e të dyja vendeve, për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
“Pranimi i kësaj marrëveshjeje do të ndihmojë në avancimin e qëllimeve tona kyçe për rajonin e Ballkanit Perëndimor përfshirë arritjen e paqes dhe stabilitetit për të gjithë njerëzit në rajon” – ka thënë për REL një zëdhënës i departamentit.
Zyrtarët e Bashkimit Evropian të involvuar në proces, Përfaqësuesi Special për Politika të Jashtme i BE-së Josep Borrell dhe përfaqësuesi për dialog Miroslav Lajçak kanë thënë se presin që të dyja palët të shfaqen konstruktive, ndërsa shpresojnë që ky konstruktivitet ta zhbllokojë procesin.
Një reagim sot erdhi edhe nga eurodeputeti austriak Lukas Mandl, ai ka thënë se është koha për një marrëveshje që hap rrugën e pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë.
Nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Twitter ai ka shkruar se marrëveshja duhet të ketë edhe njohje dhe një të ardhme në paqe për dy vendet.
“Pas 15 vjetësh të pavarësisë së Kosovës, pas 1 viti të telasheve të Serbisë me lirinë dhe paqen që u zbulua globalisht, është koha për një marrëveshje që të hapë rrugën për pajtim, njohje dhe një të ardhme në paqe dhe prosperitet”, ka shkruar Mandl.
After 15y of Kosovo-independence, after 1y of Serbia‘s trouble with freedom & peace being globally revealed, it’s time for an agreement to pave the path for reconciliation, recognition and a future in peace & prosperity. #Kosovo #Serbia @JosepBorrellF @albinkurti @avucic #WB6
— Lukas Mandl (@lukasmandl) February 27, 2023
Në anën tjetër eksperti i Evropës Juglindore Manuel Sarrazin, i ngarkuar i posaçëm i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor e ka komentuar planin e paraqitur të BE-së për zgjidhjen e problemit Kosovë – Serbi si një shans për të dyja vendet. “Propozimi europian që bazohet në iniciativën gjermane dhe franceze është në gjendje të zgjidhë një pjesë të madhe të problemeve mes dy vendeve. Ai do të hapë rrugën për integrimin rajonal në BE. Pranimi i këtij plani është një hap thelbësor për të dyja vendet në drejtim të BE”, është shprehur Sarrazin.
Sipas tij pranimi i planit nuk do të zgjidhë të gjitha problemet, por ai do të “hapte një shteg pozitiv”, që më në fund për Serbinë dhe Kosovën t’ia vlejë konstruktiviteti, duke iu hapur perspektivë të re të dyja vendeve, edhe në kuptimin e integrimeve euro-atlantike, edhe në kuptimin ekonomik.
Le të ua kujtojmë se sot pasdite në Bruksel, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të zhvillojnë takimin e nivelit të lartë në kuadër të dialogut mes dy vendeve të lehtësuar nga Bashkimi Evropian./FolDrejt/