Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës kishte shumë reagime.
Këtu janë të pasqyruara vetëm disa nga to:
Vendet ish-Jugosllav
Më 23 shkurt, 44 protestues kroatë u arrestuan pas djegies së flamurit serb, në sheshin kryesor të Zagrebit (Kroaci), pasi që protestuesit serbë sulmuan ambasadën kroate në Beograd, Serbi.
Qindra demonstrues serbë të Bosnjës në Banjallukë më 26 shkurt 2008 u drejtuan për në zyrën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, duke u përleshur me policinë përgjatë rrugës.
Në Malin e Zi, protesta u mbajtën në Podgoricë më 19 shkurt. Protestuesit tundnin flamujtë e Partisë Popullore Serbe dhe të Partisë Radikale Serbe. Partitë serbe të kryesuara nga Lista Serbe bënin thirrje për një protestë më 22 shkurt, për të protestuar ndaj Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Vendet e Bashkimit Evropian
Më 18 shkurt 2008 presidenca e BE njoftoi se pas një dite bisedimesh të ashpra midis ministrave të jashtëm, që vendet anëtare ishin të lira të vendosnin individualisht nëse do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Shumica e shteteve anëtare të BE e kanë njohur Kosovën, por Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja vazhdojnë të mos e njohin. [14] Disa personalitete spanjolle e kundërshtuan mënyrën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Pak para Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Bashkimi Evropian aprovoi vendosjen e një misioni joushtarak 2,000 anëtarësh për Sundimin e Ligjit, “EULEX”, për të zhvilluar më tej sektorin e policisë dhe drejtësisë në Kosovë. Të gjithë njëzet e shtatë vendet anëtare të Bashkimit Evropian miratuan mandatin e EULEX-it, duke përfshirë këtu edhe pakicën e pesë vendeve të BE që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Serbia ka pohuar se kjo është një okupim dhe se masat e BE-së janë të paligjshme.
Organizata e Kombeve të Bashkuara
Pas një kërkese nga Rusia, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mbajti një sesion urgjent në pasditen e 17 shkurtit. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, lëshoi një deklaratë asnjanëse duke kërkuar nga të gjitha palët “të përmbahen nga çdo veprim i deklaratave që mund të rrezikojnë paqen, nxisin dhunën ose rrezikojnë sigurinë në Kosovë apo në rajon”. Duke folur në emër të gjashtë vendeve – Belgjika, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia dhe Shtetet e Bashkuara – ambasadori belg shprehu keqardhjen “se Këshilli i Sigurimit nuk mund të bjerë dakord për rrugën përpara, por ky bllokim ka qenë shumë i qartë për disa muaj. Ngjarjet e sotme përfaqësojnë përfundimin e një procesi të statusit që ka shteruar të gjitha rrugët në ndjekje të një rezultati të negociuar”.
Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë
Dëgjimi publik në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë me rastin e Vlerësimit të Pajtueshmërisë me të Drejtën Ndërkombëtare të Deklaratës për Shpalljen e Pavarësisë nga Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes në Kosovë.
Më 22 korrik 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me seli në Hagë shpalli Vendimin e saj për Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës me të cilën vlerësonte se Deklarata e Kosovës për Pavarësi nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe se autorët e saj ishin duke vepruar në cilësinë e tyre si përfaqësues të popullit të Kosovës (Kuvendi i Kosovës dhe Institucionet e Përkohshme të Vetë-Qeverisjes), pra jashtë kuadrit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara dhe prandaj nuk ishin të detyruar me Kornizën Kushtetuese të Kosovës (shpallur nga UNMIK-u) ose nga UNSCR1244 që është i drejtuar vetëm për Shtetet Anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe Organet e Kombeve të Bashkuara. Para shpalljes së deklaratës, Hashim Thaçi tha se nuk do të ketë asnjë “fitues apo humbës” dhe se “unë pres që ky të jetë një vendim i saktë, në pajtim me vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Nga ana e saj Kosova duhet të respektojë mendimin këshillues.”
Për pjesën e tij, Boris Tadiqi, presidenti i Serbisë, paralajmëroi se “Nëse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendos një parim të ri, ajo do të shkaktojë një proces që do të krijonte disa vende të reja dhe do të destabilizonte shumë rajone në botë.” /FolDrejt/