Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s po mblidhen në Bruksel për të vlerësuar reagimin e tyre ndaj pushtimit rus në Ukrainë.
Në fjalën e tij hyrëse, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i dënoi veprimet e Rusisë në Ukrainë, duke përfshirë këtu edhe bombadriin e një nga centraleve bërthamore më të mëdha në Evropë, gjatë natës së të enjtes duke u gdhirë e premte.
Centrali bërthamor i Zaporizhzhia është tani nën kontrollin rus.
“Ne dënojmë sulmet ndaj civilëve dhe brenda natës kemi parë gjithashtu raporte për sulmin mbi një central bërthamor.
Kjo thjesht tregon pamaturinë e kësaj lufte, rëndësinë e përfundimit të saj dhe rëndësinë që Rusia të tërheqë të gjitha trupat e saj dhe të angazhohet me mirëbesim në përpjekjet diplomatike”, është shprehur Jens Stoltenberg, raporton BBC.
Më herët nënkryetari i Bashkisë së qytetit-port në jug të Ukrainës, Sergei Orlov tha për BBC: “Nuk ka asnjë mënyrë për ta ndaluar Putinin të vrasë civilët tanë me sulme nga qielli derisa NATO të zgjohet dhe të kuptojë se nuk është një konflikt rajonal – është një luftë kundër demokracisë, kundër lirisë, kundër një prej kombeve më të mëdha evropiane.
Duket sikur [udhëheqësit e NATO-s] nuk e kuptojnë se Putini nuk do të ndalet, ata janë të frikësuar dhe kjo është për të ardhur keq.
Dhe ne presim që një ditë udhëheqësit e NATO-s të kuptojnë se është plotësisht e nevojshme t’i ofrohet mbështetje direkte ushtarake Ukrainës për të ndaluar Putinin ose të paktën të mbyllin hapësirën tonë ajrore për të na mbrojtur nga sulmet nga qielli”./FolDrejt/