Ministri i Drejtësisë i Afrikës së Jugut, Ronald Lamola, theksoi se vendimi i marrë kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) është fitore në aspektin e ligjit ndërkombëtar.
Në një deklaratë në SABC, televizionin shtetëror të Afrikës së Jugut, ministri Lamola u shpreh se “vendimi i gjykatës është një fitore për njerëzit, fëmijët dhe gratë e Gazës në aspektin e ligjit ndërkombëtar”, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
“Besoj se aktualisht Nelson Mandela po na buzëqesh nga varrin e tij”, deklaroi ministri Lamola i cili vuri theksin se vendimet e gjykatës për masat do të sjellin armëpushimin dhe do të zgjerojnë presionin mbi Izraelin.
Duke tërhequr vëmendjen se në gjykatë kanë shkuar për parimet që besojnë dhe se kanë marrë kërcënime, Lamola theksoi se kanë vepruar me fuqinë e dhënë nga anëtarët e qeverisë dhe populli.
Pasi u shpreh se vendimi i GJND-së mbart cilësinë si një mësim për komunitetin ndërkombëtar, Lamola shtoi se vetëm një shoqëri që vepron në bazë të ligjit, mund të ekzistojë.
Ministri Lamola bëri të ditur se janë të kënaqur nga vendimi dhe se nuk kanë përjetuar zhgënjim për shkak se nuk është vendosur armëpushimi.
Edhe lideri i Kongresit Kombëtar të Afrikës, Fikile Mbalula, theksoi se vendimi është një pikë kthese për ata që duan të shohin paqe në Palestinë.