Këshilli i Prindërve të Kosovës ka thënë se një veprim civil, i paanshëm e i drejtë është bërë sot me mos-lejimin që fëmijët të mbajnë mësim këtë të shtune.
Sipas këtij këshilli, ka pasur tendencë për njollosje të këtij këshilli se deklarimet e tyre që të mos mbahet mësimi të shtunave janë deklarime politike, transmeton Fol Drejt.
Ata, i kanë bërë thirrje Ministrisë së Arsimit se mësimi të shtunave është i padrejtë dhe ai s’bëhet me zor.
“REAGIMI I PRINDËRVE I DREJTË E SHEMBULLOR!
Ka pasur tentim për njollosje të KP të Kosovës sikur deklarimet janë politike e të pambështetura nga prindërit për mos mbajtjen e mësimit të shtunave.
Besojmë se sot kjo është vërtetuar (kush dëshiron të shoh e kuptoj drejt) që qëndrimet tona të deklaruara e konsistentë janë vullneti legjitim i prindërve, i bazuar në të drejtën e nevojën e fëmijëve për dinjitet, për pushim dhe aktivitet jashtëshkollor.
Neve, prindërve, na kanë mbështetur për muri vendimet arbitrare dhe mohuese të të drejtave të fëmijëve vazhdimisht (edhe nga institucionet) andaj zëri ynë duhet të jetë sa i fuqishëm e masiv, aq edhe legjitim, i arsyeshëm, i urtë e i bazuar.
Mësimi nuk bëhet me zor! Kjo nuk po kuptohet drejt! Mësimi të shtunave është gabim e ai do të refuzohet arsyeshëm!
Një veprim civil, dinjitoz, i paanshëm e shumë i drejtë i mbrojtjes së fëmijëve u bë sot!
FËMIJËT KANË TË DREJTA – OBLIGOHEMI T’I MBROJMË!”, është reagimi i tyre i plotë, në rrjetin social Facebook.
Në anën tjetër, MASHTI ka thënë se vendimi për zëvendësimin e orëve është zbatuar në terren./FolDrejt/