Këshilltari i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu, ka reaguar ndaj një artikulli të publikuar në portalin “Koha”. Kadiu ka thënë se Kosova nuk e ka pranuar planin “modern” të Bashkimit Evropian për Asociacionin, por që të njëjtit e kanë gabuar titullin.
Sipas tij, kryeministri Albin Kurti ka pranuar të vazhdojë diskutimet për planin e ri i cili përfshinë zbatimin e plotë të marrëveshjeve bazike, bashkërisht me diskutimet për një draft për nenin 7.
“Bëhet fjalë për vazhdimin e diskutimeve”, ka shkruar Kadiu.
Postimi i plotë:
Titulli e interpretimi i mëposhtëm, është i gabuar e i pavërtetë dhe nuk reflekton përgjigjen e dhënë nga Qeveria sot. Kryeministri Kurti ka pranuar takimin me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe BE-së. Mëtej, bëhet fjalë për vazhdimin e diskutimeve për planin e ri, i cili përfshin zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike bashkërisht me diskutimet për një draft për nenin 7 të saj. Pra, bëhet fjalë për vazhdimin e diskutimeve. Njëjtë, siç shkruhet dhe në përgjigjen e Qeverisë.
Më poshtë, përgjigja e plotë:
Kryeministri Kurti i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së 5 emisarëve për një takim me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Presidentes së Komisionit Evropian, në margjina të samitit të Këshillit Evropian. Takimi do jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7. Kryeministri Kurti ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali, e cila do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Agjenda dhe detajet e takimit në Bruksel nuk i janë bërë të ditura Kryeministrit Kurti, megjithatë ai shprehet i gatshëm të përfshihet në diskutime përmbajtësore me kushtin që ato të jenë në linjë me parimin e gjithëpërfshirjes.