Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, është bërë objekt diskutimi në mediat shqiptare këtë të shtunë.
Kjo ka ndodhur për arsye se ai ka shpërndarë një postim në llogarinë e tij në Facebook, ku bashkangjitë me një foto të zyrtarëve politike shqiptarë thotë: “Ju kam thënë moti që Edi Rama është një burrë i mirë, veç që është pak pro-serb!!”, transmeton Fol Drejt.
E lidhur me këtë ka reaguar Klisman Kadiu, këshilltar i Bislimit, duke potencuar se postimi në fjalë është shpërndarë gabimisht.
“Sapo është vënë re (2 minuta pas shpërndarjes) ajo është fshirë menjëherë. Nuk ka as intencë, as mesazh, pas një shpërndarje të bërë pa qëllim”.
“Kosova dhe Shqipëria gëzojnë marrëdhënie solide bashkëpunimi. Një shpërndarje e tillë e paqëllimshme, nuk duhet të keqpërdoret për të nënkuptuar mesazhe që nuk ekzistojnë”.
“Asnjë media serioze, nuk e shpërndan një lajm dhe të nxjerrë konkluzione inekzistente, nga një shpërndarje e paverifikuar dhe e larguar menjëherë”./FolDrejt/