Për herë të parë ndonjëherë, Real Madridi iu përgjigj publikisht ‘aferës Negreira’ dhe thirri një mbledhje të jashtëzakonshme të drejtuesve të klubit.
Në javët e fundit, Real Madridi nuk iu përgjigj shpërthimit të skandalit në Barcelonë, dhe për rrjedhojë mori kritika gjithnjë e më të larta edhe nga tifozët e tyre. Klubi madrilen gjithashtu nuk nënshkroi një deklaratë të përbashkët nga një sërë klubesh spanjolle nga liga e parë dhe e dytë, të cilat shprehnin indinjatën për dyshimin se Barcelona i ka paguar tarifa të majme ish-zëvendëspresidentit të komisionit të arbitrave Enriquez Negreira, kinse duke blerë përfitime të ndryshme të arbitrimit.
Dje, prokurori publik ngriti zyrtarisht aktakuzën kundër Barcelonës, duke krijuar kështu terrenin për një proces të gjatë ligjor që mund të ketë një ndikim të madh si në Barcelonë ashtu edhe në futbollin spanjoll në tërësi. Mirëpo, pas ngritjes së aktakuzës, edhe Reali është përgjigjur dhe ka shkruar sot në faqen e tyre zyrtare se për nesër në mëngjes kanë thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të drejtuesve të klubit, në të cilën anëtarëve të bordit do t’u drejtohet presidenti Florentino Perez.
Arsyeja e takimit të jashtëzakonshëm është se sapo është ngritur aktakuza ndaj Barcelonës dhe klubi madrilen do të diskutojë nesër se çfarë qëndrimi do të mbajë në të gjithë këtë çështje.
Real Madridi dhe Barcelona janë tradicionalisht rivalë të mëdhenj, por kohët e fundit ata kanë punuar shumë harmonikisht, kryesisht për shkak të planeve për ngritjen e Superligës Evropiane, ndaj do të jetë shumë interesante të shihet se çfarë qëndrimi do të formojnë në Madrid në lidhje me aferën e cila e prek drejtpërdrejt rivalin e tyre më të madh, transmeton Fol Drejt.