Në Laboratorin e Elektrostimulimit dhe Elektrofiziologjisë së zemrës, në Klinikën e Kardiologjisë të Qendrës Klinik Universitare të Kosovës është realizuar numër rekord i intervenimeve.
Siç njofton Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, në javën që lamë pas, stafi i Klinikës së Kardiologjisë ka kryer 7 intervenime elektrofiziologjike me ablacion dhe 6 implantime të pajisjeve komplekse CRT-D, duke shënuar një rekord të ri.
“U realizuan procedurat e studimit elektrofiziologjik me ablacion të suksesshëm (djegie të vatrës aritmogjene), me metodën e navigacionit elektroanatomik (3-D Mapping) tek shtatë pacientët të moshave prej 20-56 vjeç.
Janë implantuar 6 pajisje të resinkronizimit elektrik të zemrës me defibrilator (CRT-D) te pacientët me dëmtim kronik të muskulit të zemrës, te të cilët terapia medikamentoze ka qenë e pamjaftueshme për t’u siguruar kualitet minimal jetëse, e për më tepër për t”i mbrojtur nga aritmitë jetë kërcënuese.”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.
“Laboratori i Elektrostimulimit dhe Elektrofiziologjisë është njëri nga shërbimet e Klinikës së Kardiologjisë, i cili është i vetmi në nivel vendi i specializuar për trajtimin e çrregullimeve të ritmit dhe përçimit të zemrës me metoda intervente.
Ky laborator tashmë me traditë të gjatë, ka filluar punën e vet në vitet e 80-ta dhe është avancuar gradualisht, ndërsa në vitin e fundit ka zgjeruar gamën e intervenimeve, duke u kryer për herë parë me sukses procedura komplekse dhe bashkëkohore të tilla si studimi elektrofiziologjik i zemrës me ablacion radiofrekuent (djegien e vatrës aritmogjene)”, shton tutje SHSKUK.
Njëkohësisht, bëhet e ditur se ka vazhduar edhe implantimi i pajisjeve elektrike të implantueshme në zemër, duke filluar nga pacemaker-ët e thjeshtë, e deri te pajisjet më komplekse si defibrilatorët intrakardiak (ICD) dhe pajisjet për resinkronizimi elektrik të zemrës (CRT)./FolDrejt/