Në Maqedoni të Veriut është kryer një transplant i cilësuar si i pari i këtij lloji, me ç’rast është transplantuar mëlçia nga një donatore e vdekur.
Këtë e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, transmeton Fol Drejt.
Bekim Sali, përmes një postimi në facebook, ka treguar se kjo procedurë kirurgjikale është e para që është kryer në historinë e shëndetësisë së këtij shteti.
“Sot, pikërisht në mesditë në Klinikën e Kirurgjisë Digjestive, është kryer transplanti i parë i mëlçisë nga donatori i vdekur në historinë e shëndetësisë në Maqedoni.”, ka shkruar Sali.
“Pacienti gjashtëdhjetëvjeçar me sëmundje kronike të mëlçisë mori një organ të shëndetshëm nga pacientja me vdekje në tru, familja e së cilës mbrëmë pranoi t’i dhurojë organet.
Krahas mëlçisë, momentalisht është duke u zhvilluar transplantimi i veshkave në dy pacientë me sëmundje të veshkave.”, ka shkruar ai tutje.
Sali në postimin e tij ka shprehur falenderim për familjen e donatores dhe njëkohësisht edhe gjithë personalin mjekësor.
“Në emrin tim personal dhe në emër të gjithë personelit të përfshirë në ndërhyrjen e transplanteve, do të doja të falënderoja familjen e donatorit dhe vendimin e tyre për të shpëtuar jo një, por tre jetë. Ata na treguan edhe një herë se jeta mund të dhurohet.
Falenderojmë gjithashtu të gjitha ekipet mjekësore të përfshira në transplantim, që punuan dhe vazhdojnë të punojnë me pacientët gjatë 24 orëve të fundit. Falënderim të veçantë meriton profesori Zoran Karaxhov dhe ekipi i tij, si dhe ekipi i Klinikës së Gastroenterohepatologjisë, i cili sot shkroi një faqe të re jo vetëm në fushën e kirurgjisë së digjestive, por edhe në shëndetin e përgjithshëm.”, shkruan Sali./FolDrejt/