Boronicat shumë të dashura e të kërkuara janë padyshim krenaria e alpeve Shqiptare.
Pyjet e vendit tonë janë të mbushura me këtë frut të egër plor bukuri, ngjyrë të veçantë dhe shumë vlera ushqimore, ndaj bëni mirë ta kërkoni e të mos e ndani nga tryezat tuaja.
Sot do ju mësoni mënyrën e saktë të përgatitjes së kekut të butë me boronica te freskëta Shqiptare.
Ndiqni mëposhtë mënyrën e saktë të përgatitjes së tij dhe shijojeni në shtëpitë tuaja.
Përbërësit
240 gr miell
400 gr boronica
3 vezë mesatare
115 gr gjalpë
250 ml kos
155 gr sheqer
1 lëkurë limoni
1 pako esencë vanilje
Kripë
16 gr fryrës për ëmbëlsira
Përgatitja
Për të nisur me përgatitjes e kësaj recete pastroni mirë boronicat tuaja me ujë të bollshëm.
Së dyti të gjithë përbërësit duhet të jenë në temperaturë ambienti, ndaj kini parasysh boronicat dhe gjalpin që t’i nxirrni nga frigoriferi që më parë.
Në një enë shtoni gjalpin dhe sheqerin duke i rrahur më pas me një rrahës elektrik derisa të bashkohen të gjithë përbërësit.
Më pas grini lëkurën e një limoni me rende, shtoni esencën e vaniljes dhe pak kripë.
Punojini sërish me rrahëset elektrike derisa të formoni një masë kremoze, më pas shtoni vezët një nga një derisa të përthithen të gjitha e të formohet një masë homogjene.
Shtoni po aty pak nga pak edhe kosin duke përzier vazhdimisht për disa minuta.
Ndërkohë në një enë të veçantë sitni miellin, bashkë me fryrësin për ëmbëlsira dhe hidheni me lugë tek ena ku po përzieni përbërësit e tjerë.
Teksa vazhdoni me përzierjen dhe shikoni që brumi është trashur dhe ka formuar masën e tij të zakonshme kremoze, lërini rrahëset elektrike mënjanë dhe shtoni 230 gr boronica.
Përziejini ato me kujdes me anë të një spatula në mënyrë që të mos i çani apo dëmtoni dhe zgjidhni një tavë pjekje rreth 23 cm.
Lyejeni tavën me gjalpe dhe pak miell e në të shtoni të gjithë sasinë e brumit që keni tek ena.
Përhapeni mirë nëpër të gjithë sipërfaqen e tavës dhe sipër shtroni me anë të spatulës sasinë e mbetur të boronicave.
Për pjekjen
Sipas dëshirës sipër spërkateni kekun tuaj me pak sheqer kaf dhe futeni të piqet në furrë të parangrohur.
Piqeni për 50-55 minuta në temperaturë 180 gradë derisa të shikoni që ka marrë ngjyrë të artë në sipërfaqe.
Kur të jetë gati, nxirreni nga furra lëreni disa sekonda të ftohet e më pas mund ta hiqni nga tava e ta shërbeni të ngrohtë kekun tuaj me boronica.
Sipas dëshirës mund ta shoqëroni me kakao apo me një kupë akullorë me shije vanilje./AW/