Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica po merr pjesë në konferencën Rajonale të Ministrave të Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Beograd, e cila shënon një iniciativë me qëllim përmirësimin e politikës sociale në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Siç njofton MPMS, gjatë fjalës së tij para ministrave dhe përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Evropian, Reçica tha se perspektiva për anëtarësim në BE është pikë referimi e rëndësishme në politikën socio-ekonomike të vendit tonë. Ai theksoi se pak shtete nga rajoni dhe më gjerë mund të kenë përjetuar ndryshime më të mëdha në aspektin e politikave dhe sistemeve të mirëqenies sociale, sesa Kosova gjatë tri dekadave të fundit.
“Sidoqoftë, ne sot mund të flasim për një sistem relativisht të konsoliduar mirë dhe të plotësuar, për çka Kosova në vazhdimësi ka marrë mbështetje nga BE-ja, përmes partneritetit të vazhdueshëm”, tha ministri.
Ai theksoi se Kosova përballet me shkallë të ulët të punësimit, megjithatë ka shënuar përparime evidente në përpjekjet për rritje të punësimit dhe konsolidim të tregut të punës dhe këto përpjekje do të vazhdojnë edhe më tutje, me qëllim që të dekurajojmë sidomos të rinjtë për të emigruar në vendet tjera.
“MPMS ka hartuar Strategjinë Sektoriale e cila parasheh krijimin e politikave më të mira në fushën sociale e familjare dhe asaj të punësimit dhe bazuar në të, ne kemi filluar një reformë të përgjithshme jo vetëm në këto fusha por edhe në atë të dialogut social, fushën pensionale si dhe të aftësisë së kufizuar, nëpërmjet ndryshimeve të nevojshme ligjore. E gjithë kjo me qëllim të transformimit të sistemit të mirëqenies sociale në Kosovë në një sistem të mirëfilltë dhe të qëndrueshëm, ku qytetarët e saj marrin beneficionet dhe shërbimet e merituara nga shteti”, tha 0ministri.
Reçica theksoi se vetëm me përkushtim të fortë, por edhe me ndihmën e partnerëve siç është BE-ja mund të arrijmë përmirësimin e mirëqenies sociale të qytetarëve dhe për të ndjekur rrugën e vetme, anëtarësimin e plotë të vendit në BE. Për këto politika sociale, ai tha se Kosova udhëhiqet nga parimet e vlerat e BE-së dhe të drejtat dhe parimet e drejtësisë sociale për të gjithë qytetarët pa dallim.