Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka thënë sot se reciprociteti me Serbinë duhet ta ndihmojë Kosovën Lindore, e jo ta dëmtojë atë.
Përmes një postimi në Facebook, Murati ka thënë se vendimi për mosnjohje të pasaportave të Serbisë, ashtu siç e ka pohuar edhe Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve atje, ka goditur rëndë mërgimtarët nga Presheva, Bujanoci dhe Medveja, të cilët me shumicë udhëtojnë përmes Aeroportit të Prishtinës dhe të cilët veç kanë pasur probleme këto ditë.
Postimi i tij i plotë:
Reciprociteti me Serbinë duhet ta ndihmojë Kosovën Lindore e jo ta dëmtojë atë
Vendimet që i marrin institucionet e Kosovës në raport me shtetin serb duhet ta kenë parasysh gjithnjë edhe dimensionin e Kosovës Lindore, përkatësisht të shqiptarëve që jetojnë atje dhe të cilët mbijetesën e vetë e realizojnë përmes komunikimit vital me Kosovën. Kështu vendimi për mosnjohje të pasaportave të Serbisë, ashtu siç e ka pohuar edhe Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve atje, ka goditur rëndë mërgimtarët nga Presheva, Bujanoci dhe Medveja, të cilët me shumicë udhëtojnë përmes Aeroportit të Prishtinës dhe të cilët veç kanë pasur probleme këto ditë. Reciprociteti në raport me Serbinë përveç për të fuqizuar shtetin e Kosovës duhet të realizohet mbi të gjitha për të ndihmuar shqiptarët në Kosovën Lindore e jo për të vështirësuar edhe më jetën e tyre atje. Ftoj institucionet tona që urgjentisht të gjejnë zgjidhje për shqiptarët e Kosovës Liindore edhe sa i përket çështjes së udhëtimit me pasaporta.