Akti terrorist i djeshëm i cili la pas vetes 8 viktima në Stamboll, ka zgjuar një valë reagimesh në Kosovë e Shqipëri, shkruan Fol Drejt.
Figura publike dhe qytetarë të shumtë e kanë dënuar aktin terrorist dhe të gjithë akterët e involvuar në të.
Opinionisti Redi Shehu në një reagim në llogarinë e tij në Facebook, ndër të tjera ka vënë në dukje faktin se “se autorët e terrorit kishin planifikuar të arratiseshin në Greqi” dhe se, ishte bërë plan që autorja e aktit “të eliminohej”.
Sipas Shehut, një varg pyetjesh shtrohen pas zbulimit të këtyre të dhënave.
“Akti i djeshëm terrorist në rrugën më të populluar të Stambollit, na rikujton edhe një herë perversitetin e terrorit, terroristeve si dhe atyre që qëndrojnë pas tyre. Po ashtu, na rikujton se terrori dhe terroristet nuk kanë një fe të përcaktuar. Ata godasin kudo dhe këdo pavarësisht përkatësisë religjioze. Turqia gjatë gjithë vitit 2016 e me pas ne 2017 ka pësuar një seri aktesh terroriste me qindra të vrarë dhe të plagosur. Pra, nuk është natyra e fesë që prodhon dhunë, por janë një grup i caktuar njerëzish që janë burimi dhe shkaku i dhunës.
Deklarata e Ministrit të Brendshëm tregojnë se jo vetëm është kapur autorja e aktit të shëmtuar, ku ndër të tjera u vranë 4 gra ne mesin e tyre edhe një vajze 9 vjeçare, por është kapur edhe personi i ngarkuar për të eliminuar më vonë autoren e terrorit. Çështja bëhet akoma edhe më interesante kur deklarohet se autorët e terrorit kishin planifikuar të arratiseshin në Greqi menjëherë pas atentatit. Pyetjet që dalin janë: Perse dhe kush dëshironte të vriste autoren e krimit? Çfarë donin të fshihnin? Kush qëndron prapa një akti të tillë? A mos ndoshta ka filluar një valë goditjeje ndaj Turqisë për të dobësuar rolin e saj vendimtar kohët e fundit ne gjeopolitikën globale?
Ditët dhe javët në vijim do të mund të plotësojnë akoma më mirë këtë mozaik të shëmtuar krimi” – ka shkruar Shehu në llogarinë e tij në Facebook./FolDrejt/