Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka thënë se deklaratat e institucioneve të vendit për mosmbajtjen e referendumit të Serbisë kanë qenë të qarta, sipas tij, një organizim i tillë cenon sovranitetin dhe integritetin territorial.
Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka theksuar se takimi i mbajtur sot mes përfaqësuesve të shteteve të QUNIT-it dhe liderëve shtetëror, rreth këtij zhvillimi, është një presion i padrejtë karshi Kosovës.
“Insistimi i shefit të politikës së jashtme të BE, Josep Borrell, më pas edhe i ambasadorëve të QUINT-it, që me çdo kusht të lejohet mbajtja e referendumit, mendoj se nuk kanë qenë të drejtë karshi qëndrimeve tona. Ne jemi shtet dhe nuk ka askund në botë një praktikë të tillë që në një shtet tjetër të mbahet referendumi i një shteti tjetër”, ka pohuar Dugolli.
Pjesëtari i LVV-së ka deklaruar se serbëve me dy shtetësi nuk është duke u ndaluar e drejta e votës, pasi tregon se atyre është duke u lejuar dhënia e nënshkrimit përmes postës.
“Deri tani kishte praktika të gabuara në Kosovë, ku lejohej mbajtja edhe e zgjedhjeve të shtetit tjetër në vendin tonë. Nëse është bërë gabim dikur nuk duhjt të bëhet deri në pafundësi. Këto janë të papranueshme duhet të ndërpriten”, ka treguar Dugolli.
Ai ka folur edhe për qëndrimet e opozitës, të cilat i ka përshëndetur, duke shtuar se bashkësia ndërkombëtare duhet ta shoh që politika në Kosovë është unike karshi çështjes së referendumit.
Serbia, të dielën, do të mbajë një referendum i cili ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese. Liderët e këtij shteti dhe përfaqësues ndërkombëtarë kanë kërkuar që të votojnë fizikisht edhe serbët që janë me dy shtetësi. Por, kjo është duke u kundërshtuar nga Qeveria dhe opozita e vendit.