Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell, ka njoftuar se ka zhvilluar biseda me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në një referendum në Serbi.
Ai ka thënë se njerëzit duhet të kenë të drejtën për të votuar, duke përmendur se në të kaluarën një proces i tillë është bërë nga OSBE-ja në Kosovë.
“Dje fola me Albin Kurtin dhe Aleksandar Vuçiqin për mbledhjen e votave në Kosovë për referendumin kushtetues në Serbi. Mbledhja e votave në të kaluarën është lehtësuar nga OSBE-ja. Njerëzit duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar”.
Kurti mbrëmë tha se në bisedën që ka zhvilluar me Borrellin ka kundërshtuar një gjë të tillë, duke thënë se një praktikë e tillë nuk zbatohet në asnjë vend demokratik.
“Në telefon me Borrellin, ripërsërita qëndrimin tonë se serbët e Kosovës me dyshtetësi mund të votojnë në referendum me postë apo në zyrën ndërlidhëse në Prishtinë. “Mbajtja e referendumit të një shteti tjetër në territorin e një shteti sovran nuk është praktikë e pranueshme nga ndonjë vend demokratik”.